Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, deklaroi se partitë politike kanë rënë dakord për ndryshim në reformën zgjedhore, raporton InLajmi.
“Ajo çka mund të them është se ka një dakordim të të gjitha subjekteve politike se duhet të bëhet një ndryshim në reformën zgjedhore që do të ndodhë me ligjin e ri. Aty përfshihen kryesisht procedura që ndërlidhen me çështje teknike që në të kaluarën kanë qenë problematike. Numërimi i votave, pastaj çështjet tjera që lidhen me vendvotimet dhe me qendrat e vendvotimeve nëpër komuna, njëkohësisht çështje që po ashtu lidhen me kandidaturën e subjekteve politike”, tha ai.
Tahiri i AAK-së foli edhe për Ligjin për Deputetët, pasi sipas tij ky ligj do t’i rregullojë në masë të madhe përgjegjësitë, detyrimet dhe sanksionimet e deputetit.
“Ligjin për Deputetë e kam propozuar unë si deputet dhe është miratuar në plan të veprimit për pjesën e 2-të. Hartimi për Ligjin për Deputetë dhe hartimi i Kodit të Etikës si udhëheqës i tij do të rregullojë në masë të madhe përgjegjësitë, detyrimet dhe sanksionimet e deputetit”, tha Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. /InLajmi/