Deklarimet seksiste në Kuvendin e Kosovës nuk janë të rralla nga deputetët e këtij institucioni. Deputetët jo rrallë kanë qenë protagonistë të debateve të pahijshme të cilat shpesh kanë kaluar në fyerje e ofendime personale ndaj deputeteve gra.
Raste të tilla pati edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për punën 2-vjeçare të Qeverisë Kurti.
Gjuha parlamentare degradoi në atë seksiste. Sot fillimisht në rastin e deputetes nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, ku zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ishte ai i cili përdori një gjuhë të papërshtatshme ndaj saj, kur deputetja e pyeti se “kur do të jap dorëheqje, duke qenë se ka ndërruar deklaratën lidhur me Asociacionin”.
“I pakuptimtë epshi juaj për të marrë vëmendje”, ishte përgjigja e Bislimit i cili u kritikua nga Kryeparlamentari Konjufca, por duke mos u mjaftuar me kaq, ai shtoi se “ofendimet, deputetes në fjalë i shkojnë për shtati”.
Lidhur me këtë fjalim e Bislimit ka reaguar Instituti për Politika Sociale i cili e ka quajtur gjuhë seksiste fjalimin e Bislimit ndaj Shoshit.
Instituti Musine Kokalari, i ka kërkuar zëvendës kryeministrit të tërhiqet menjëherë nga këto sulme e ofendime me bazë gjinore, si dhe ka kërkuar nga qeveria e Kryeministri të tërhiqen nga kjo gjuhë seksiste, shkruan Reporteri.net.
Po ashtu, është kërkuar nga Kryetari i Kuvendit që të jetë më i vendosur në dënimin e përdorimit të gjuhës së tillë në seancat e Kuvendit.
Por, një qasje e tillë seksiste u përdor sot edhe nga deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri. Ky i fundit i tha Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut se ajo vetëm për drejtësi nuk mund të flas, por që me të mund të flitet për “vajin në tepsi, pamjen e jashtme, frizerin”.
“Albulenë me fol për drejtësi me ty është problem se s’din. E ke dëshmu shumë herë se s’din, me ty mudemi me fol për vajin në tepsih, me fol për grunë e frizerit, me fol lookun tënd, me fol për punësime, me fol për higjienën në Ministrinë e Drejtësisë që shpesh e poston në Facebook, por për drejtësi jo”, ka thënë Tahiri, i cili shumë shpejt mori reagimin e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kryeparlamentari tha se një gjuhë e tillë nuk mundet të përdoret në Kuvend, shkruan Reporteri.
“Çdo fjalë për dukjen e grave, flokët e tyre është gjuhë seksiste që nuk duhet të përdoret në Kuvend”, tha Konjufca.