Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon të mbahet seanca e radhës ku po diskutohet për qeverisjen 2 vjeçare të Kurtit, raporton InLajmi.
Para deputetëve Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se qasja destruktive e Serbisë ndaj Kosovës ende nuk ka ndryshuar.
“Qasja e Serbisë karshi Kosovës nuk ka ndryshuar. Përgjatë këtyre 2 vjetëve, jemi ballafaquar si dy shtete me Serbinë. Në kontekst të kësaj, kemi ndaluar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Kemi mundësuar regjistrimin me taksa RKS, ndërsa taksat e regjimit të Millosheviqit po dorëzohen e zëvendësohen”.
Më tej Sveçla deklaroi se institucioneve të sigurisë iu nevojitet një përkrahje më e madhe nga deputetët.
“Institucioneve të sigurisë iu nevojitet përkrahje më e madhe. Por, unë mund të ju garantoj që krimi dhe korrupsioni do të vazhdojnë të luftohet në çdo cep”. /InLajmi/