Pas fjalëve hyrëse dhe paraqitjeve në pika të shkurtra të aktakuzave nga prokurorët në rastin “Thaçi e të tjerët” si edhe fjalës së mbrojtjes të të akuzuarve, e cila deklaroi se do të rrëzojë të gjitha këto pretendime të organit të akuzës se Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, si ish drejtues të UCK-së, kanë kryer “krime kundër njerëzimit”, procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të fillojë të martën e javës që vjen.
Fillimisht do të jetë prokuroria e cila do të fillojë me thirrjen e dëshmitarëve, ku në ëtrësi, do të jenë 11 dëshmitarët e parë, nga rreth 300 që pretendon se do të dëshmojnë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Por, bazuar në orarin e përcaktuar, duket se këtë vit do të vazhdohet me dinamikë më të shtuar në mbajtjen e seancave në lidhje me këtë rast.
Kështu, sipas orarit të përcaktuar, gjatë muajit prill, përveç 3 seancave të para hyrëse, do të mbahen edhe 7 seanca të tjera gjyqësore.
Gjithashtu, 10 seanca të tjera janë planifikuar të mbahen në muajin maj, kurse në muajin qershor do të mbahen edhe 7 të tilla.
Pushim nuk do të ketë as në korrik e gusht, ku sipas orarit, për rastin “Thaçi e të tjerët” do të mbahen edhe 15 seanca, 7 në korrik e 8 të tjera në muajin gusht.
Gjithashtu, procesi do të vazhdojë me mbajtjen e 7 seancave në muajin shtator e 14 të tjerave në muajin tetor.
Pastaj, 10 të tjera do të mbahen në nëntor dhe viti do të përmbyllet me 7 seanca në muajin dhjetor, shkruan RTK.
Kështu në tërësi, viti do të përmbyllet me 81 seanca në procesin gjyqësor në rastin “Thaçi e të tjerët”.