Në veri të Mitrovicës është planifikuar që të ketë zgjedhje më 23 prill të këtij viti.
Këto zgjedhje ishin vendosur të mbahen me 18 dhjetor.
Por, pas tensioneve të shumta zgjedhjet për kryetarët të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zvecanit, u shtynë për 23 prill.
Lidhur me procesin zgjedhor ka folur kandidati për kryetar në komunën e Zubin Potokit, Izmir Zeqiri i cili vjen nga PDK-ja.
Zeqiri tha se grupet kriminale të serbëve në ditën e zgjedhjeve mund t’i pengojnë zgjedhjet.

“Ne jemi duke u përgatitur për zgjedhjet por nuk mund të themi që nuk do të ketë pengesa. Nëse ju referohemi djegieve të veturave në veri dhe situatës aktuale mund të ketë ndonjë planifikim për pengimin e zgjedhjeve nga grupet kriminale prej Serbisë që mund t’i prishin këto zgjedhje”, theksoi Zeqiri.
Ai pret nga qytetarët shqiptarë të dalin të votojnë.
Sipas Zeqirit, qytetarët serbë do të jenë skeptik për të votuar, pasi kanë presione nga shteti serb, shkruan FrontOnline.
“Pres që qytetarët shqiptarë do të dalin për të votuar ashtu si çdo herë e nga ata serbë mund të jenë numër shumë i vogël për shkak se frikësohen grupeve kriminale të serbëve. Çdo herë në bazë të statistikave në këtë komunë dalin dikur 11 deri 15 % qytetarë shqiptarë për të votuar dhe pres që do të dalin të gjithë për të votuar”, tha Zeqiri.