Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh Komandante Supreme, vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së në Kazermën ”Adem Jashari” në Prishtinë, ku u prit nga Komandanti gjenerallejtënant Bashkim Jashari me gjeneralë dhe oficerë të FSK-së, përcjell InLajmi.
Me këtë rast, Presidentja Osmani u njoftua nga gjeneral Jashari dhe stafi i tij me zhvillimet aktuale në FSK dhe aktivitetet në proces, me theks të veçantë në përgatitjet finale para ekzekutimit të stërvitjes fushore të forcave amerikane me forcat tjera partnere “Defender –Europe’23”.
Nga ana e saj, Presidentja Osmani, përgëzoi FSK-në, për procesin e suksesshëm të planifikimit dhe përgatitjeve të duhura për Stërvitjen “Defender-Europe’23”.
Në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, Presidentja Osmani shprehu mbështetjen e plotë për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, si dhe mbarëvajtjen e Stërvitjes, si një ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për FSK-në, por edhe për Republikën e Kosovës dhe vizionin euroatlantik. /InLajmi/