Në fjalën e tij hyrëse para Gjykatës Speciale në Hagë, Jakup Krasniqi tha se gjatë kohës sa ka qenë zëdhënës i UÇK-së është përpjekur që të japë përshtypje dhe shpresë te populli se janë të organizuar mirë, raporton InLajmi.
Krasniqi ripërsëriti se aktakuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë logjikë derisa tha se “përmbajtja e akuzave e ka lënduar më shumë se torturat nga regjimi serb e jugosllav”.
Për më tepër, ai foli edhe për akuzat e ngritura për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, të cilat i quajti si absurde, duke shtuar se ai dhe familja e tij kishin qenë pjesë e LDK-së.
“ Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së ose si pjesë e një qëllimi të përbashkët për të sulmuar LDK-në. Unë isha anëtar i LDK-së. Familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendjeje të çoroditur mund t’i ketë lindur ideja që unë kam mundur të isha pjesë e persekutimit tim, të familjarëve të mi dhe bashkëluftëtarëve të mi”, tha Krasniqi para Speciales në Hagë. /InLajmi/