Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nga informacioni që ai posedon, termi “të zhdukurit me dhunë” do të përdoret në marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç përdoret nëpër konventat ndërkombëtare.
Konjufca ka theksuar se Serbia ka tentuar t’i ikë termave të tillë.
“Kosova e ka arritur këtë. Serbia gjithmonë është përpjekur të përdorë një terminologji tjetër për t’i ikur përgjegjësisë që e ka për të gjithë ata që janë të zhdukur me dhunë. Sepse, kur të thuash ‘të zhdukurit me dhunë’, do të thotë se ata i ka zhdukur dikush. E kjo është Serbia me aparatin e saj shtetëror, policinë, ushtrinë dhe organet e tjera shtetërore”, ka thënë Konjufca pas homazheve që kreu në kompleksin memorial të të vrarëve në masakrën e Rezallës.
Të martën në Bruksel në një takim trelateral mes zv.kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe shefit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në kaudër të marrëveshjes bazike Kosovë-Serbi, është diskutuar ndër tjerash edhe për marrëveshjen për të pagjeturit.
Petkoviq ka thënë se janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, por sipas tij, nuk është pranuar termi i përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme.
Ndërkohë që të mërkurën bëri homazhe në Rezallë duke e konsideruar masakrën që ndodhi aty si njërën prej akteve më gjenocidale të bërë nga Serbia në Kosovë, Konjufca tha se nderimet po bëhen në një moment kur nuk është Serbia ajo e cila po gjykohet për ta marrë dënimin e merituar, “me të gjithë ata kriminelë lufte që i mban brenda, por është pikërisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, vetë Kosova e ulur në bankën e drejtësisë”, shkruan Gazeta10.
“Kjo nuk mund të përjetohet ndryshe përveçse si një padrejtësi. Në vitet 1998-1999, teksa populli po përjetonte gjithë atë gjenocid, vuajtje e masakra, askush nuk ka menduar që 24 vite pas do të ishim ne ata që do të duhej të arsyetojmë se nuk ishim kriminelët dhe agresori, por ishte Serbia me të gjithë ata ushtarë e policë, të cilët vranë njerëz të pafajshëm, pleq, gra e fëmijë, pa i kursyer, vetëm pse ishin shqiptarë. Prandaj, ne vazhdimisht do t’i kujtojmë ata që kanë rënë për Kosovën dhe për lirinë tonë mirëpo, siç po shihet, liria ende nuk është përmbushur sepse po i ka sfidat e veta, e njëra ndër to është edhe ajo me të cilën po përballemi në Hagë”, theksoi Konjufca.