Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është drejtuar mijëra qytetarëve, të cilët janë mbledhur në sheshin e Prishtinës, për të marshuar për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, raporton InLajmi.
Fjalimi i Krasniqit u mirëprit me brohoritje nga qytetarët. Turma vazhdimisht dëgjohej duke brohoritur emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Krasniqi u tha qytetarëve se ish-krerët e UÇK-së janë duke e përcjellë drejtpërdrejt nga Haga marshin që po mbahet sot në Prishtinë.
“Në këto momente janë duke na përcjellë nga Haga çlirimtarët tanë. Po na përcjellin drejtpërdrejt Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi”.
Krasniqi theksoi se bashkimi i shqiptarëve rreth një kauze të drejtë është krejt ajo çka i duhet Kosovës.
“Bashkimi jonë rreth një kauze të drejtë është ajo çka i duhet Kosovës. Nga zemra ju jam mirënjohës secilit prej juve që bashkë me familjet tuaja jeni këtu, për t’ia dhënë një pamje të tillë të Kosovës”. /InLajmi/