Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili i hap rrugën rritjes së madhe të pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar ka vazhduar të ngjallë reagime politike por edhe në opinion. Ekonomisti Abil Baush vlerëson se rritja e pagave nuk do të ndikojë në zbutjen e inflacionit.
“Në momentin kur ne marrim masa për kufizimin e çmimeve të disa produkteve bazë dhe nga ana tjetër kur marrim edhe disa masa të tjera për ta zbutur inflacionin në vendin tonë, paraqitet një realizim i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese i cili do të duhet t’i rrisë pagat për disa përqindje jashtëzakonisht shumë të mëdha dhe kjo në aspektin ekonomik do të thotë më shumë para në treg, gjë që automatikisht nuk e ngadalëson inflacionin por do të mbajë inflacionin aty ku është për momentin.
Aspekti tjetër social është se ne gjendemi para një situatë e lidhur me pjesën ekonomike që të gjithë sektorët publik kërkojnë rritjen e pagave deri në 20-30%, gjë që e nxit inflacionin edhe më shumë”, tha Abil Baush, ekonomist.
Baush vlerëson se kjo rritje e lartë e pagave që lidhet direkt me funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar është joetike, shkruan AlsatM.
“Arsyetimi i tyre është se dhe ato janë njerëz dhe do të duhet t’ju rritet paga por duke e marrë parasysh rrogën mesatare, standardin jetësor të popullatës tonë, shportën e konsumit dhe të gjitha ato që janë nën atë standardin jetësor të cilin e kanë qytetarët tanë, është joetike që në këtë moment të rriten rrogat për 80%”, shtoi ai.