Më 19 Prill bëhen 10 vjet që kur kryeministri në atë kohë Hashim Thaçi nënshkroi një letër dhe ia kishte dërguar ish-sekretarit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Në këtë letër Thaçi kishte dhënë nënshkrimin e tij ku edhe ishte zotuar që FSK-ja nuk do të hyjë në veri të vendit pa u koordinuar me KFOR-in.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë ju ofroj garanci se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mundësi të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim KFOR-in. Kjo është në përputhje të plotë me obligimet ekzistuese të Kosovës kundrejt NATO-s të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës i zbaton me seriozitetin më të madh. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu e ka të qartë, që KFOR-i, në përmbushjen e mandatit të tij, mund të angazhohet me përfaqësuesit legjitim të komunitetit lokal në veri të Kosovës, si pjesë e një procesi të rregullt bashkëveprimi”, thuhej në letrën që Thaçi i ka dërguar sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.
E, me të marrë pozitën në vitin 2020 si kryeministër i vendit, Albin Kurti në shkurt i shkroi një letër kryetares së Kuvendit, atë kohë Vjosa Osmanit, ku aty ajo është njoftuar për një marrëveshje siç ka thënë Kurti të fshehtë që presidenti Hashim Thaçi e ka nënshkruar më 2013.
Vetëm 2 ditë më parë këtë marrëveshje e ka përmendur përsëri kryeministri Kurti, duke kritikuar Hashim Thaçin.
Ai ka thënë se sikur ta kishim kazermën e FSK-së në veri, situata do të ishte më ndryshe.
Sipas tij, kjo e ka dëmtuar shumë Kosovën sa herë që vendos të futet në veri, pasi që konfrontohet me NATO-n.
Por, edhe pse po bëhen 10 vjet, FSK-ja do të vazhdojë të koordinohet me KFOR-in për të shkuar në atë pjesë të vendit.
Kështu, kanë thënë në një përgjigje për Front Online, nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Dislokimi i FSK-së në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të KFOR-it. Ne mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të lidershipit të Kosovës me këtë zotim, i cili nuk ka kufizim kohor”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Front Online.
Ata thonë se ky mision vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së që është sigurimi i një mjedi të sigurt
“KFOR-i vazhdon të zbatojë çdo ditë mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë patrullimin e zgjeruar në veri të Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thuhet më tutje në përgjigje.