Me kushte jo të mira të punës e me paga të ulëta, angazhimi me përgjegjësi e sfidat e mëdha nuk i ndalojnë zjarrfikësit që çdo herë të jenë në krye të detyrës, shkruan InLajmi.
Ata u përgjigjen thirrjeve të qytetarëve në çdo kohë e rrethanë edhe përkundër orëve të vona e festave e datave të veçanta.
Pra edhe përkundër faktit se ata çdo ditë përballen me flakët gllabëruese të zjarreve duke iu ekspozuar kështu rrezikut permanent, fatkeqësisht ata nuk kanë shtesa për rrezikun në punë, shtesa për punë jashtë orarit madje as sigurime shëndetësore.
Nuk ishin të kënaqur as edhe njëherë me kushtet e punës, por me fillimin e këtij viti, pakënaqësitë e zjarrfikësve u shtuan me miratimin e Ligjit për paga, tha kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës Muharrem Beka për InLajmin.
Ai tha se përkundër punës së palodhshme dhe rrezikut që bartë ky profesion, zjarrfikësit nuk i morën as shtesat për rrezikshmërinë në punë por edhe as 30 eurot si shërbyesëv civil që i kemi përfituar më herët.
“Në kontot e zjarrfikësve nuk është bërë rritje prej 200 eurove që ishte paraparë më herët. Tashmë me këtë koeficient mungojnë shtesat për rrezikshmërinë në punë, si dhe mungojnë 30 euro të shërbyesve civil që i kemi përfituar më herët”, u shpreh kryetari i Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka për Gazetën Inlajmi.
Përveç rritjes së kërkesave të punëtorëve për paga, kët vit u rritën edhe kërkesat e qytetarëve për intervenime të zjarrfikësve.
Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë në një deklaratë me shkrim për Gazetën InLajmi, tha se gjatë 2 muajve të parë të këtij viti, ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar me qindra raste dhe në çdo rast ata kanë përfunduar me sukses misionin e tyre.
Gashi tregoi se përgjatë 2 muajve të parë të këtij viti në Prishtinë pati 253 raste të intervenimit, ku sipas tij vetëm në muajin janar të vitit 2023 ishin 84 raste ku zjarrfikësit intervenuan.
“Në muajin janar të vitit 2023 kemi pasur 84 intervenime, ku 19 nga këto kanë qenë në sipërfaqe të hapura, 6 në automjete 4 në pajisje elektrike, 28 internime teknike, dhe 8 në shërbime”, tha për InLajmin Gashi.
Tutje Gashi për InLajmin bëri të ditur se përgjatë muajit shkurt të këtij viti intervenimet për shuarjen e zjarrit u dyfishuan dhe pati hiç më pak se 169 raste.
“Ndërsa në muajin shkurt të këtij viti pati 169 raste të fikjes së zjarrit, ku nga këto 48 ishin zjarre në objekte ndërtimore, 64 në sipërfaqe të hapura, 6 zjarre në automjete, 14 zjarre në pajisje elektrike, 30 intervenime teknike dhe 6 intervenime në shërbime”, u shpreh Gashi.
Ndryshe Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë përgjatë vitit 2022 kanë intervenuar në shuarjen e rreth 1900 zjarreve.
“Gjatë 12 muajve ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar në shuarjen e 1900 zjarreve prej tyre intervenime në objekte ndërtimore kanë qenë 236, kurse në sipërfaqe të hapura ekipet tona kanë intervenuar në gjithë 684 raste. Kemi intervenuar edhe me 103 raste për fikjen e zjarrit në automjete, kurse për të parandaluar pasojat nga zjarri kemi intervenuar në 115 raste të pajisjeve elektrike. Ndërkohë ekipet kanë intervenuar edhe kanë kryer shërbime tjera, gjithsej 339 raste të tilla”, tha tutje Gashi për InLajmin. /InLajmi/