Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj të enjten është takuar me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku u diskutua për strategjinë e mbrojtjes por edhe konceptin e avancimit të FSK-së, përcjell InLajmi
Në këtë takim sipas ministrit Mehaj, përveç se u diskutua për strategjinë mbrojtëse u kërkua edhe kontributi i gjithë akterëve në hartimin e dokumenteve të rëndësishme për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Për më tepër, Mehaj theksoi se diskutim me peshë ishte edhe Agjencia për Siguri të Mbrojtjes e cila tha ai do të ushtroj aktivitetin e saj brenda dhe jashtë Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Në takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes diskutuam për Strategjinë e Mbrojtjes si dhe konceptin e komponentës rezervë si dokumente tejet të rëndësishme për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e për të hartimin e të cilave kërkohet angazhimi maksimal i të gjithë akterëve. Me qëllim që këto dokumente të jenë të zbatueshme në praktikë, janë inkorporuar të gjitha komentet relevante, përfshirja e të cilave i shton vlerë aspektit strategjik të tyre.
Temë tjetër diskutimi ishte edhe Agjencia e Intelegjencës për Siguri të Mbrojtjes, si organ që do të ushtrojë aktivitetin e saj brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës me qëllim të mbështetjes së Ministrisë së Mbrojtjes (MM) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në fushën e zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë lidhur me kërcënimet apo rreziqet e mundshme për kryerjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor.
Ushtria është prioriteti ynë, andaj angazhimi ndërinstitucional në funksion të zhvillimit të kapaciteteve ushtarake është obligimi ynë. /InLajmi/