Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një konferencë për medie kanë bërë se Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet për qëllime të Ministrisë së Mbrojtjes, raporton InLajmi.
Mehaj bëri të ditur se në Babaj të Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së, ku do të ndërtohen poligone taktike sipas standardeve të NATO-së.
“Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes. Në Babaj të Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së ku do të ndërtohen poligone taktike sipas standardeve të NATO-s. Poligonet taktike në Babaj të Bokës do të jenë moderne që do ndërtohen sipas standardeve të ushtrisë amerikane dhe të NATO-s. Këto poligone do jenë në funksion jo vetëm për ushtrinë tonë por edhe të gjithë partnerët tanë strategjikë. Kurse në aeroport planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Mehaj.
Ministri Aliu tha se miliona euro do të përdoren për shpronësime për arsye strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Kemi arritur në vitin 2023 të kryejmë shpronësimet për arsye strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes. Deri më tani janë kryer 9.4 milionë euro pagesa. Pas kryerjes së pagesave, kemi bërë kërkesë tek Agjencia Kadastrale që pronat e shpronësuara t’i kalojnë Qeverisë për nevojë të Ministrisë së Mbrojtjes. Pothuajse të gjitha pronat janë bartur në emër të Qeverisë”, ka thënë Aliu. /InLajmi/