Dje në moshën 51 vjeçe pas një ataku kardiak ndërroi jetë, intelektuali, aktori dhe regjisori i njohur gjakovar Behar Zenelaj, i cili para një numri të madh të qytetarëve dhe adhuruesve të teatrit jo vetëm nga Gjakova u varros në varrezat e qytetit, shkruan InLajmi.
Në karrirën e tij si aktor, nga vitet e para të pasluftës ka realizuar dhjetra role kryesore dhe episodike, në skenën e teatrit profesionist “Hadi Shehu” të Gjakovës, me regjisor të njohur si: Mito Kutali, Haqif Mulliqi, Gëzim Kame, Stefan Franko, Atdhe Gashi, etj. Poashtu Zenelaj kontribut të madh si aktor dhe regjisor, ka dhënë edhe në teatrin amator “Emin Duraku” në Gjakovë, kur për një mandat ishte edhe kryetar i kësaj trupe. Në vitet 2010/ 2011, me shfaqjen “Tregtari i venedikut” të Wiiliam Shakespeare përfundoi Fakultetin e artit dramatik dega e regjisë, kurse me shfaqjen “Hamleti”, po të njëjtit autor përfundoi masterin për regji në klasën e Prof. Agim selimi.
I ndjeri Behar Zenelaj, ka bërë regjinë edhe të disa shfaqjeve për të rinjë, por edhe me aktorët e trupës të Teatrit profesionist, ku do t’i veçonim shfaqjet, “Idioti” nga Muza Pavlova, realizuar në vitin 2015 dhe shfaqjen “’Çifti i lumtur” nga Dario Fo, në shtator të vitit 2016. Poashtu Zenelaj, është marrë edhe me publicistikë, analiza, vështrime, e kritika për artin skenik dhe ecuritë në kulturë në përgjithësi.
Teatri i Gjakovës “Hadi Shehu” sot ka bërë të ditur se për shkak të vdekjes së Zenelajt, eshte anuluar shfaqja e paraparë për sonte.
Ndërsa nesër, më 31 mars në ora 12:00, në Sallën Solemne në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” me organizim të teatrit “Hadi Shehu”, do të mbahet mbledhje komemorative në shenjë respekti për kolegun e tyre duke ftuar të gjithë dashamirët e teatrit që të bashkohen në këtë komemoracion për të nderuar punën dhe veprat e tashmë të ndjerit Behar Zenelaj./Osman Goranci/InLajmi/