Ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill, tha se Marrëveshja e Ohrit do të ketë efekt pozitiv në mbarë Ballkanin dhe se përgjegjësia për forcimin e këtij rajoni bie mbi të gjithë, transmeton InLajmi.
Hill edhe pse mendon se mund të jetë herët për të parashikuar rezultatet e marrëveshjes së Ohrit, megjithatë thekson se kjo marrëveshje do të shënojë histori.
“Ndoshta është shumë herët për të thënë. Shpresoj se Marrëveshja e Ohrit do të shënohet në histori. Nga njëra anë, si pika nga e cila filloi normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe bëri që kufijtë të bashkojnë njerëzit, dhe jo të ndajnë ata. Gjithashtu, se do të jetë një pikë kthese nga e cila filluam të merremi me çështjet ekonomike në radhë të parë dhe bashkëpunimin ekonomik”, tha Hill.
Për më tepër, Hill thekson se marrëveshja i obligon të gjithë për të ndihmuar në përparimin e rajonit.
“Duhet thënë se kjo marrëveshje e zhvendos përgjegjësinë te të gjithë ne që të bëjmë përpjekje për ta ndihmuar këtë rajon të forcohet dhe të përparojë përmes zhvillimit ekonomik. Të gjitha vendet dhe banorët e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përpjekje për ta afruar rajonin me BE-në, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë, dhe kjo nuk është detyrë politike, por në radhë të parë ekonomike”, tha Hill. /InLajmi/