Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj, duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se shteti i Kosovës është humbës në këtë rast, pasi sipas tij, nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.
“Kosova e kishte mundësin të përfitojë në dialog, por tash se si është udhëhequr është humbëse, pasi i gjithë procesi i dialogut në vend që të kishte një përfundim marrëveshje përfundimtare, tash është shndërruar në një marrëveshje për implementim të Zajednicës, edhe këtij hapi të vetëmenaxhimit për komunitetin serb”, është shprehur ai.
Ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se për implementimin e marrëveshjes së arritur në Ohër po ia vendos barrën krejtësisht Kosovës.
“Esenca është te gjuha që po e përdor Kurti, prapë po shkon në disfavor të Kosovës, edhe presionin edhe mekanizimin për implementimin e marrëveshjes, e vendos barrën krejtësisht mbi Kosovën”, ka thënë ai.
Po ashtu, sipas tij, janë mashtruar qytetarët e Kosovës nga ana e Kurtit, pasi ai kishte thënë se nuk ka Zajednicë, shkruan TV Dukagjini
“Por, vetëmenaxhimi është përtej, dallon vetëmenaxhimi prej Zajednicës, kjo e fundit është gjithqysh. Tash, Kurti e ka lidhur komunitetin serb në vetëmenaxhim”, ka thënë ai.