Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka kujtuar 24-vjetorin e masakrave të kryera nga forcat serbe në Beleg dhe Irzniq të Deçanit, si dhe në Poterq të Klinës, përcjell InLajmi.
Haradinaj me pikëllim shprehet se shumë burra dhe gra, të paarmatosur nuk u kursyen nga barbarët serbë.
Tutje, ai përkujton edhe 14 bashkëluftëtarët nga Zona e Dukagjinit, të cilët ranë heroikisht në përballje me forcat serbe në Shishman të Bokës.
Kryetari i AAK-së thekson se sakrifica e dëshmorëve të lirisë na jep motiv për të dashur dhe mbrojtur atdheun, si dhe për të vazhduar angazhimin për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë për ta.
Postimi i plotë i tij:
29 marsi na kthen në kujtesë vitin 1999, martirizimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Edhe pse të paarmatosur, ata nuk u kursyen nga barbarët dhe vazhdojnë të mbesin plagë që kullon në shpirtin tonë.
Kujtojmë po ashtu rënien heroike të 14 bashkëluftëtarëve nga Zona e Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës, në përballje heroike me armikun në Shishman të Bokës.
Sakrifica e tyre dhe e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Lirisë na jep motivim për ta dashur dhe mbrojtur Atdheun tonë dhe të vazhdojmë angazhimin si shoqëri dhe shtet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë për ta.
Lavdi e përjetshme të rënëve për liri! /InLajmi/