Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë Ligjin për Këshillin Prokurorial, ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ndërsa theksoi se Ministria e Drejtësisë e cila cenon rendin kushtetues nuk mund të sjellë politika të drejtësisë, përcjell InLajmi.
Abdixhiku kërkon dorëheqjen e ministres Albulena Haxhiu, për të cilën thotë se “dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë e diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë”.
Sipas Abdixhikut, një ministre që në vend të skuqjes dhe dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë.
Postimi i plotë i tij:
Nga logjika e ‘vajit në tepsi’, tek sulmet ndaj rendit juridik.
Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik.
Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë. Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?
Këta kaq dinë, por megjithatë duan më shumë. Prandaj përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë.
Kosova meriton më mirë.
Kosova mundet më shumë! /InLajmi/