Çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës edhe sot vazhdon të mbetet si çështje mjaft problematike. Shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdimisht diskriminohen nga shteti serb, e këtë e tregon më së miri edhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilin flitet për “papunësi joproporcionale, pasivizim të adresave, gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë diskriminuese të përdorur ndaj tyre”, shkruan InLajmi.
Që nga 18 shtatori i vitit të kaluar, është kërkuar që çështja e shqiptarëve të Luginës të përfshihet në dialog me Serbinë, në mënyrë që shqiptarët e Luginës të kenë të drejta të njëjta që i kërkon komuniteti serb në Kosovë. Kjo kërkesë është riaktualizuar edhe tash para takimit që u mbajt në Ohër, por si duket nuk arriti të përfshihej në propozimin evropian pavarësisht se përfaqësuesit politikë të Preshevës i dërguan letër-kërkesë SHBA-së, BE-së, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Mospërfshirja e çështjes së shqiptarëve të Luginës në dialogun me Serbinë ngjalli shumë reagime dhe kritika nga përfaqësuesit politikë ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili u akuzua se mashtroi qytetarët atje, duke premtuar se çështja e tyre do jetë pjesë e agjendës së dialogut.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, në një deklaratë për InLajmin flet për diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve të Luginës ndërsa thekson se “shpëtimin” nga kjo situatë, ata e shohin vetëm tek përfshirja e çështjes së tyre në dialogun me Serbinë.
I pyetur se sa ka marrë përkrahje kërkesa për përfshirjen e çështjes së shqiptarëve në dialogun Kosovë-Serbi, Mustafi thotë se shqiptarët e Luginës kanë marrë mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria, sikurse edhe nga kongresistët dhe senatorët amerikanë.
“Absolutisht kërkesat e tona madje janë publike sa i përket përfshirjes në dialogun Kosovë-Serbi, e madje përveç që kemi mbështetjen e e një pjese të mirë të Kosovës dhe Shqipërisë, kemi mbështetje e disa kongresistëve, senatorëve e personaliteteve të shquara nga SHBA-të”, tha Mustafi për InLajmin.
Mustafi theksoi se përfaqësuesit politikë në Luginë janë në proces të avokimit për përfshirjen e çështjes së shqiptarëve në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
Sipas tij, shqiptarët e Luginës duhet të kenë standarde të akorduara si komuniteti serb në Kosovë.
“Jemi në proces të avokimit për përfshirjen e Luginës së Preshevës në marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që duhet të sigurojë paqen, stabilitein dhe prosperitetin. Nuk ka asnjë arsye që standardet e akorduara për komunitetin serb të mos jenë të vlefshme edhe për komunitetet pakicë si standarde unike si në Serbi edhe vendet tjera”, tha Mustafi.
Për më tepër, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë thekson se çështje e shqiptarëve të Luginës duhet të jetë në fokus të politikave transatlantike perëndimore.
“Konteksti aktual gjeopolitik pas pushtimit rus të Ukrainës kërkon një dinamikë më të theksuar, sidomos në çështjet e sigurisë, të drejtave të pakicave dhe parimit të sigurisë kolektive të regjionit të Ballkanit Perëndimor. Pra, në këtë drejtim është me rëndësi që Lugina e Preshevës të jetë në fokus të politikave transatlantike perëndimore, edhe me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, tha Mustafi.
Tutje, ai thotë se në këtë proces duhet të ketë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, ku përmes parimit të reciprocitetit të trajtohen të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike.
“Angazhimi për reciprocitet në të drejta të komuniteteve joshumicë është i bazuar në parimin e barazisë, dhe për ne kjo është jetike. Kjo simetri dhe ky harmonizim në të drejta të komuniteteve joshumicë në rajon do t’i shërbente evropianizimit dhe demokratizimit të Serbisë, dhe do t’i jepte legjitimitet përfshirjes së Bashkimit Evropian, në rolin e tij lehtësues të dialogut”, tha ai.
Mustafi kërkon nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetje për kërkesat e tyre legjitime, si një parim fisnik i traditës së shteteve demokratike.
“Ngritja zyrtarisht e kërkesës legjitime dhe të drejtë të reciprocitetit në të drejta midis serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi në dialogun e Brukselit, është hapi që po e bëjmë sot, ne, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës. Ne i kërkojmë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që t’i japin mbështetje këtij parimi fisnik, që mbështetet në traditën liberale të shteteve demokratike në kontinentin tonë”, tha ai, për të shtuar më pas se Serbia është ajo që nuk ka zbatuar qëllimet thelbësore të marrëveshjeve, siç janë integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga njësitë speciale të sigurisë dhe forcat ushtarake.
Tutje, ai përmend edhe obligimet që ka marrë Serbia nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe të cilat nuk i ka implementuar për çështjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“Krahas obligimeve kushtetuese dhe ligjore, si dhe obligimeve të cilat imponohen nga marrëveshjet tanimë të njohura ndërkombëtare, Republika e Serbisë ka marrë ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës edhe obligime të posaçme me 3 dokumente të veçanta, të cilat janë miratuar nga ana e qeverisë, e të cilat nuk janë implementuar”, tha Mustafi.
Përveç tjerash, Mustafi theksoi se fuqizimi i iniciativës së Luginës për të drejtat shqiptare është përfshirja në dialogun Kosovë-Serbi në kuadër të Planit Franko-Gjerman.
“Prandaj, e vetmja rrugë përpara është fuqizimi i kësaj iniciative dhe adresimi i kërkesës sonë tek Bashkimi Evropian, Përfaqësuesi i Lartë Joseph Borrell, dhe Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve Gabriel Escobar, që çështja e të drejtave të pakicës shqiptare në Serbi të përfshihet dhe të trajtohet në kuadër të parimit të reciprocitetit në Dialogun Kosovë-Serbi dhe në kuadër të Propozimit franko-gjerman”, tha ai për InLajmin
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë shpërfaq padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve nga Serbia, siç është rasti me pasivizimin e adresave ndërsa fton Bashkimin Evropian, SHBA-në, Këshillin e Evropës, OSBE-në dhe NATO-n për vlerësimin e procesit politik nga viti 2001-2023 në Luginë.
“Kërkojmë ndaljen e shlyerjes së adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe rishqyrtimin e dokumenteve të pasivizuara. Ftojmë Bashkimin Evropian, SHBA-në, Këshillin e Evropës, OSBE dhe NATO-n, për një vlerësim të përbashkët për procesin politik 2001-2023 në Luginën e Preshevës”, tha Mustafi.
Gjithashtu Mustafi fton Kosovën dhe Shqipërinë që të angazhohen për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në përputhje me referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992.
“Ftojmë institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës që, në kuadër të veprimeve për bashkëpunim rajonal, të angazhohen për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në përputhje me referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për autonomi politike territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën”, tha Mustafi.
Tutje, ai përmend edhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shqiptarët e Luginës, për të cilin thotë se shpërfaq qartë padrejtësitë që po u bëhen vazhdimisht atyre në Luginë. Shqipe Vishaj /InLajmi/