Në përvjetorin e 24-të të rrëmbimit të 11 burrave dhe djemve të Gjakovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, ku u prit nga Nëna Ferdonije Qerkezi, përcjell InLajmi.
Kryeministri Kurti e falënderoi Nënën Ferdonije për qëndrueshmërinë dhe guximin që po i jep mbarë popullit shqiptar.
Ai tha se forcat serbe nuk i kanë marr 4 djemtë dhe bashkëshortin e saj sikurse dhe shumë e shumë të tjerë se kanë qenë të familjes Qerkezi, por sepse kanë qenë shqiptarë dhe e kanë dashur vendin e tyre.
Kryeministri veçoi rëndësinë e hapjes së arkivave nga Serbia, pasi vrasja dhe zhdukjet gjatë luftës kanë qenë pjesë e projektit serbomadh për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.
Ai tha se Serbia duhet të jetë e hapur për sa më shumë hulumtim dhe hapje të varrezave masive.
Por, theksoi se fakti që në varrezat masive të zbuluara në Serbi nuk është vendosur asnjë pllakë përkujtimore, është dëshmi që Serbia nuk do që të zbulohet e vërteta. /InLajmi/




















