Në 24-vjetorin e masakrës në Pejë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore në lagjen “Dardania”, raporton InLajmi.
Ndërsa kujtoi të vrarët nga forcat serbe, shefi i ekzekutivit tha se drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjate dhe për siguri, për të gjithë.
Kurti tha se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale.
“Bashkë me kolegë nga Kuvendi dhe me aktivistë të Lëvizjes sonë bëmë homazhe këtu në Pejë te lapidari, duke u përkulur e duke i përkujtuar 40 të vrarët gjatë luftës së fundit nga forcat serbe këtu në lagjen ‘Dardania’”, ka thënë Kurti, teksa ka thënë se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale.
Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të punojë pa u ndalur që të nxjerrë para drejtësisë autorët e masakrës.
“Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjate dhe për siguri, për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë dhe Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë që t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat. Dihet që viktimat nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit por edhe familjet e tyre, farefisi i tyre dhe mbarë shoqëria jonë”, u shpreh kryeministri Kurti. /InLajmi/