Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, qëndrimi i Serbisë ka qenë i njëjtë dhe se dje nuk ka thënë asgjë të re kur deklaroi se Serbia e ka lënë të hapur mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusia, transmeton InLajmi.
Kryediplomati serb përsëriti se sanksionet ndaj Rusisë mund të vendosen, por tani për tani nuk është e arsyeshme.
“Sanksionet mund të vendosen nëse ekonomia dhe qytetarët serbë fillojnë të pësojnë dëme të pariparueshme, pra nëse ka presione shtesë, por se tani për tani nuk ka nevojë të shqyrtohen sanksionet kundër Rusisë”, u shpreh Daçiq.
Ai theksoi se kjo qeveri nuk do ta dërgoj vendin në izolim.
Tutje ka shtuar Daçiq në televizionin Happy se shkëmbimi tregtar i Serbisë me Rusinë asnjëherë nuk ka qenë i lartë ,2 -3 miliard dollarë, dhe se pjesa më e madhe ishte importi i produkteve energjetike, po tha ai se më shumë shkëmbime tregtare me Rusinë kanë ato vende të cilat gjoja vendosën sanksione ndaj saj.
Shefi i diplomacisë serbe tha se Serbia e ka mbështetur që në fillim integritetin territorial të Ukrainës dhe gjithmonë ka votuar për rezoluta të tilla të OKB-së. /InLajmi/