Avokati, Arbër Jashari duke folur për rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial nga Gjykata Kushtetuese, ka thënë se është e çuditshme se si në këtë ligj nuk janë inkorporuar opinionet e Venecias.
Jashari ka thënë se tani duhet të inicohet një ligj i ri.
“Është pak e çuditshme, sepse kjo çështje Qeveria me sa di unë e ka marrë edhe një opinion nga Komisioni i Venecias dhe është prit që të reflektojë, ta përfshijë në hartimin e ligjit dhe është pak e dhimbshme që edhe pasi është marrë ai opinion edhe është ba një punë jashtëzakonisht e madhe, çështja të kthehet në fillim ose të rrëzohet. Dhe tash Qeverisë nuk i ngel atjetër vetëm të inicojë një ligj të ri që të jetë në harmoni me Kushtetutën ose të mos i bëjë gabimet që i ka bërë në këtë fazë apo gjatë hartimit të këtij ligji”, ka deklaruar ai.
Jashari ka thënë se shkaku i kartonave të kuq nga Kushtetuesja, qeveria nuk ka avancuar në asnjë process madhor sa i përket reformës në drejtësi.
“Fatkeqësisht ndoshta euforia e kësaj Qeverie apo dëshira me bë ndonjë ndryshim, ndoshta është edhe fakti që është peng i fjalëve dhe premtimeve të mëdha, ka bërë që pavarësisht që kanë vullnet të mirë për t’i ndryshu gjërat apo ta përmirësu gjendjen brenda sistemit të drejtësisë, nuk po e bëjnë në mënyrën e duhur dhe vazhdimisht po marrin karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese, gjë që nuk është e mirë për arsye deri më tash nuk e kemi pothuajse asnjë proces madhor që ka avancuar”, ka thënë ai
Sipas Jasharit fatin e njëjtë me ligjin që u rrëzua mund ta ketë edhe Ligji për Byronë por edhe vettingu.
“Kishim Ligjin për Këshillin Prokurorial, por në këtë rrugë e sipër kemi Ligjin për Byronë Kosovare të Sigurisë, pastaj kemi edhe vettingun që është në fazë të hershme e nuk dihet. Pavarësisht që janë bërë disa punë, në premtimet madhore që i ka bë për reformë të thellë, deri më tani asnjë prej tyre pothuajse nuk ka marrë dritën e gjelbër dhe nuk po shihet në praktikë”, shkruan tëvë1
Duke folur për reagimin e ministres se Drejtësisë, Albulena Haxhiu karshi këtij vendimi, Jashari ka thënë se ministrja nuk duhet të jetë euforike por ta pranojë vendimin si institucionaliste.