Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili komentoi deklarimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila foli për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit Prokurorial të Kosovës, përcjell InLajmi.
Kica tha se ministrja Haxhiu paska filluar ta vë në pikëpyetje kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese.
Më tej ajo shtoi se për ministren e Drejtësisë, më nuk qenka e mirë Gjykata Kushtetuese.
Postimi i plotë i saj:
Kjo Gjykatë Kushtetuese (GJK) ka rrëzuar Qeverinë Hoti – vendim që i shkoi për shtat asokohe ministres Haxhiu.
Kjo GJK ka gjetur me të drejtë 22 shkelje në marrëveshjen për Asociacionin – që i shkoi për shtat gjithë VV-së si pretekst se në pushtet kishim shkelës të Kushtetutës.***
Por – kur e njëjta Gjykatë ka filluar t’i evidentoj shkeljet e Ministres Haxhiu, ajo paska filluar të befasohet.
Paska filluar ta vë në pyetje kredibilitetin e GJK.
Natyrisht. Sepse sot, ajo është zyrtarisht shkelësja e Kushtetutës që dikur e përçmonte si tradhëti kombëtare – dhe i dhemb rruga që ka shtruar vet me kolegë.
I paska rënë ndërmend se në pushtet paska ndonjëherë edhe njerëz që gabojnë, jo monstrumë. Megjithëse duke i njohur – këta nuk gabojnë pa qëllim.
Për Ministren nuk qenka më GJK e mirë. Ndryshon puna tash.
Fati që kushtetutshmëria e këtij vendi nuk varet nga Albulenat. E natyrisht as nga Doarsat. Qoftë gjithmonë kështu!
*** (Edhepse për herë të parë Serbia pat nënshkruar dokument duke njohur Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës). /InLajmi/




















