Me martesë të hershme përcaktohet si kurorëzim i 2 personave ku njëra ose të 2 palët janë nën moshën 18 vjeçare, shkruan InLajmi.
Në shoqërinë shqiptare kanë qenë shumë të përhapura martesat në moshë të hershme, ku në shumë raste vajzat kanë qenë nën 18 vjeç.
E faktorët për këto martesa janë të shumtë, si faktori ekonomik, social, kulturor, feja, e sigurisht edhe mendësia patriarkale.
Përkundër kalimit të viteve ky fenomen vazhdon të jetë aktual edhe në ditët e sotme në Kosovë e gjinia më e prekur nga ky fenomen vazhdon të jetë gjinia femërore.
Se ky fenomen vazhdon të jetë i përhapur në Kosovë tregojnë edhe të dhënat e fundit nga ASK-ja.
Nga ky institucion për Gazetën InLajmi, bëjnë të ditur se gjatë vitit 2021 numri i meshkujve që janë kurorëzuar në moshën 18 vjeçare është 22, ndërsa femra të kurorëzuara në moshën 18 vjeçare gjatë vitit 2021 kanë qenë 285 raste.
“Në vitin 2021, numri i meshkujve që janë kurorëzuar në moshën 18 vjeçare është 22, ndërsa i femrave është 285”, thuhet nga ASK-ja në një përgjigje me shkrim për InLajmin.
Ndërsa mosha mesatare e të martuarve për vitin 2021 nga ky institucion treguan se është 29.
Më tej nga ASK-ja deklaruan se numri i qytetarëve që janë kurorëzuar mbi moshën 35 vjeçare për vitin 2021 për meshkujt është 4488 raste, ndërsa i grave 2836 raste.
Nisur nga të dhënat zyrtare, shihet se femrat janë ato që lidhin martesë në moshë të njomë,sikur dikur që ishte në traditën patriarkale.
Ndryshe, martesat e hershme nuk janë të preferuara për faktin se partnerët e rinj si në aspektin biologjik, psikologjik e social nuk kanë pjekurinë e duhur.
Kujtojmë se sipas studime të ndryshme që janë bërë mosha ideale për t’u martuar është mbi 25 vjeç për femrat dhe 30 për meshkujt. Në këtë moshë partnerët e njohin shumë mirë jo vetëm veten e tyre por edhe partnerin, ata dinë se çfarë kërkojnë, cilat janë interesat e tyre, janë të vetëdijshëm për ndjenjat, arrijnë të marrin vendime serioze etj. /InLajmi/