Një ndër problemet më të mëdha që ka ekonomia e Kosovës është bilanci negativ tregtar. Mungesa e kapaciteteve prodhuese ka rezultuar në një strukturë të eksporteve, e cila është e kufizuar. Ndërsa rritje të madhe ka shënuar importi i mallrave, çka edhe ka krijuar varësinë e vendit tonë nga shtetet e huaja sa i përket importit, shkruan InLajmi.
Kosova ka pozitën gjeografike dhe resurse natyrore që të mos krijojë varshmëri nga importi nga vendet e treta, por edhe përkundër kësaj, shteti ynë vazhdon të mbetet i varur nga mallrat e huaja.
Vendi ynë kryesisht importon nga vendet më të afërta, e njëri nga importuesit më të mëdhenj ka qenë dhe vazhdon të mbetet Turqia, e pasuar me disa vende evropiane, por nuk mbetet prapa as importi nga Serbia.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dërguar për InLajmin, Kosova gjatë muajit janar nga Turqia ka importuar mallra në vlerë prej 50.237.260 euro, e pasuar nga Gjermania me mallra në vlerë prej 39.504.493 euro. Nuk mbetet pas me importin e mallrave në Kosovë edhe shteti më i largët, e që është Kina, e cila brenda muajit janar ka importuar 37.241.595 euro. Pavarësisht se marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë-Serbi janë mjaft “të acaruara” në aspektin tregtar duket se jemi më “të zbutur”, e kjo për faktin se si viteve të kaluara edhe këtë vit Serbia mbetet “lidere” nga vendet fqinje për importin e mallrave në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë muajit janar Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 17.870.074 euro nga Serbia. Ndërkohë që importi nga Italia është fare pak më i ulët nga Serbia, 16.118.895 euro.
Krahasuar me muajin janar, importi në muajin shkurt ka shënuar rritje dukshëm më të lartë, e këtë e tregojnë më së miri të dhënat e ASK-së, në të cilat vërehet qartë se shifra e importit të produkteve nga Turqia, Gjermania, Kina, Italia dhe Serbia ka shënuar rritje.
Ajo çka bie në sy gjatë muajit shkurt është rritja e importit nga Serbia për 3.635.585 euro më shumë se në muajin janar. Pavarësisht thirrjeve për bojkotin e produkteve serbe, importuesit kosovarë po vazhdojnë me “avazin e vjetër” dhe nuk po shkëputen dot nga furnizimi me mallra nga Serbia. Kjo shihet qartë nga të dhënat zyrtare, ku gjatë muajit shkurt nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 21.505.659 euro.
Rritje të importit gjatë muajit shkurt Kosova ka shënuar edhe me Turqinë, nga e cila ka importuar mallra në vlerë prej 57.394.959 euro, që njëherësh duket të jetë partneri i parë tregtar i Kosovës në këtë aspekt. Rritje të importit krahasuar me janarin, gjatë muajit shkurt Kosova ka shënuar edhe me Gjermaninë, prej të cilës ka importuar mallra në vlerë prej 50.783.953 euro. Rritje të importit për muajin shkurt, Kosova shënon edhe me Kinën dhe Italinë.
Në përgjithësi, Kosova nga këto 5 vende gjatë 2 muajve të këtij viti ka importuar mallra në vlerë prej 744.407.41 euro. /InLajmi/
