Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bisedë përmbajtësore me presidentin e Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog si pjesë e komunikimit të vazhdueshëm me homologë të shteteve mike, përcjell InLajmi.
Në këtë bisedë telefonike në mes të krerëve të shtetit të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit, të 2 liderët kanë biseduar për raportet bilaterale në mes të 2 shteteve dhe mundësinë e thellimit të tyre.
Presidentja Osmani dhe presidenti Herzog, diskutuan për potencialin e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, ndërsa vlerësuan lartë partneritetin në rritje në mes të 2 vendeve. Në këtë drejtim, Osmani potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit diplomatik, për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Presidenti Herzog e falënderoi përzemërsisht Osmanin për mbështetjen e Kosovës ndaj Izraelit, dhe e ftoi presidenten Osmani për vizitë zyrtare në Izrael. Ai poashtu shfrytëzoi rastin që t’ia urojë muajin e Ramazanit besimtarëve myslimanë, festën e Pashkëve besimtarëve të krishterë, si dhe festën e “Passover”, besimtarëve hebre.
Në fund, presidentja Osmani ka dërguar urimet më të mira për gjithë popullin e shtetit të Izraelit. /InLajmi/