Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, skanoi zhvillimet në Kosovë, ndërsa theksin kryesor e vuri tek takimi i së shtunës në Ohër, ku Serbia dhe Kosova diskutuan për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai tha se takimin e Ohrit më tepër e sheh si një sigurim paqeje dhe stabiliteti për Ballkanin, ndërsa shpreh rezerva në atë se çfarë ka përfituar Kosova në të vërtetë. Ai theksoi se palët ndërkombëtare nuk kanë premtuar diçka konkrete për Kosovën, si psh anëtarësimin në OKB apo njohja e pavarësisë nga 5 vendet e Bashkimit Evropian.
“Unë e shoh më tepër si hap për gjetjen e një zgjidhje, që të sigurohet paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Pasi edhe vitin e kaluar kemi pasur probleme në veri të vendit. Kjo është më tepër sigurim paqeje dhe stabiliteti, nuk mund të them se Kosova ka përfituar diçka, sepse nuk ka premtime konkrete për Kosovën, si përshembull njohja nga 5 vendet e BE, dhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare, prandaj nuk kemi pritur diçka dhe jemi të njoftuar edhe më parë. Ne kemi kërkuar që marrëveshja të përmbyllet me njohje reciproke, por ajo mund të vijë në rend dite pas një periudhe kohore, ose diku rreth vitit 2030, që është shumë larg”, tha ai.
Ai u shpreh se Serbia edhe në të kaluarën ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën, por nuk i ka zbatuar asnjëherë ato, shkruan ABC News.
Ish-kryetari I LDK-së thotë se 2 pikat e planit Franko-Gjerman, përkatësisht pika 7 dhe 10 janë të paqarta.






















