Më 18 mars në Ohër u zhvillua takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq nën ndërmjetësimin e emisarëve të Bashkimit Evropian Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak. Pas 12 orësh negociatash Kurti dhe Vuçiqi u dakorduan për zbatimin e aneks marrëveshjes së propozimit evropian, shkruan InLajmi.
Ajo që ngjalli më së shumti reagime në Kosovë është neni 7 i kësaj marrëveshjeje, ku bëhet fjalë për themelimin e institucionit të vetëmenaxhimit, që në fakt i bije Asociacioni vetëm ndryshon emërtimi.
Neni i sipërmendur, i cili ka të bëjë me formimin e Asociacionit apo tanimë me emërtimin e ri “vetëmenaxhim” ka shfaqur konfuzitet në opinionin kosovar nëse ky vetëmenaxhim është me apo pa kompetenca ekzektuive, siç ka kërkuar e këmbëngulur gjithherë Serbia.
Më të zëshëm në kundërshtimin e asaj që është dakorduar në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në takimin e Ohrit është Partia Socialdemokrate, e cila jo vetëm se kundërshton, por ka thirrur edhe protesta kundër kësaj marrëveshje e njëkohësisht kërkon dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Sipas këtij subjekti, pajtimi për propozimin evropian ku hyn edhe formimi i Asociacionit është me rrezik sepse siç theksojnë nga kjo parti, Kosova gjendet në premisat që të shndërrohet në një shtet jofunksional me dëme të mëdha për stabilitetin dhe integritetin e saj.
I pyetur nga Gazeta InLajmi se çfarë nënkupton emërtimi i ri “vetëmenaxhim” për komunat me shumicë serbe, anëtari i kryesisë së PSD-së Zgjim Hyseni, thotë se është e njëjta marrëveshje për Asociacionin, porse është ndërruar vetëm termi.
Sipas tij, në planin evropian 2 pikat e kësaj marrëveshje potencojnë çështjen e Asociacionit në përmbajtje e formë, ndërsa shton se Neni 10 obligon palët të zbatojnë marrëveshjet e kundërshtuara paraprake.
“Me 27 shkurt të këtij viti, Kurti u dakordua për Planin Evropian i cili rrjedhimisht u publikua më pastaj nga BE. Në të, 2 pika potencojnë çështjen e Asociacionit në përmbajtje e formë si dhe në implementim. Është Neni 10, që i obligon palët të respektojnë e implementojnë marrëveshjet e mëhershme të dakorduara në dialog si dhe Neni 7, i cili kërkon një vetëqeverisje adekuate për komunitetin serb në Kosovë”, tha Hyseni për InLajmin.
Hyseni thotë se lufta e Kurtit dhe vartësve të tij nuk është më në nivelin përmbajtësor të Asociacionit, por në nivelin semantik të tij. Ai theksoi se kryeministri nga Kurti e ka pranuar Asociacionin ashtu siç ishte.
“Lufta e Kurtit dhe vartësve të tij nuk është më në nivelin përmbajtësor të Asociacionit por në nivelin semantik të tij. Ata po mendojnë që me ndërrimin e termeve ka ndryshuar marrëveshja. Por, nëse i lexoni të gjitha dakordimet, Planin Evropian dhe aneksin e zbatimit, është më së e qartë që Asociacioni është pranuar nga Kurti, ashtu siç ishte, dhe se ai është prioriteti numër një, të cilit i nevojitet vëmendja e menjëhershme, sipas fjalëve të Borrell-it, për t’u implementuar”, tha Hyseni.
Anëtari i PSD-së shpreh shqetësimin se krijimi i Asociacionit është pushtet paralel i krijuar mbi baza të ndarjes etnike, ndërsa thekson se ky pushtet mund të zhbëhet vetëm nga asambleja, pasi krijohet me dekret qeveritar.
“Asociacioni në thelbin e tij është njëetnik. Ai do të ketë përfaqësues të etnive të tjera në asamblenë e tij por njëetniciteti rrejdh prej përfaqësimit të interesave vetëm të komunitetit serb në Kosovë. Asociacioni është pushtet paralel i krijuar mbi bazën e ndarjes etnike. Pushtet paralel sepse ai formohet me dekret qeveritar e megjithatë mund ta zhbëhet vetëm nga vetja e saj (asambleja), do të ketë mbikqyrje të plotë në hartimin e kontrollimin e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban e atij rural e ndërkomunal dhe do të ketë mundësinë të financohet nga Serbia apo çfarëdo entiteti tjetër me të cilin krijon marrëdhënie bashkëpunimi”, tha ai.
Sipas tij, pushteti qendror dhe ai i Asociacionit do të kenë përplasje të vazhdueshme sa i përket kompetencave.
“Pushteti qendror dhe ai i Asociacionit do të kenë përplasje të vazhdueshme të kompetencave të tyre të cilave në fund Gjykata Kushtetuese do u jap zgjidhje, gjë që, sigurisht, nuk do ta bënte për një OJQ të thjeshtë apo për vetëmenaxhim në kuptimin e përçudnuar që Kurti e vartësit e tij tash e disa ditë po e qesin në hapësirën publike për të mashtruar dhe manipuluar”, tha anëtari i PSD-së.
Për më tepër, Hyseni thekson se rreziku nga Asociacioni tashmë është i qartë sepse siç thekson ai, premisat janë që Kosova të shndërrohet në shtet jofunksional.
“Rreziku është i qartë, Kosova gjendet në premisat që të shndërrohet në një shtet jofunksional me dëme të mëdha për stabilitetin dhe integritetin e saj përderisa funksionon përbrenda një status-quo-je të re pa zgjidhje përfundimtare me Serbinë”, sqaron Hyseni.
I pyetur nga InLajmi se a do të ishte gabim historik i kryeministrit Kurti nëse nënshkruan marrëveshje për zbatimin e aneksit të propozimit evropian pa njohje reciproke, Hyseni tha se Kosovës i nevojitet urgjentisht një marrëveshje e cila e përmban njohjen nga Serbia, ndërsa theksoi se Plani Evropian nuk e përmban asnjë fije të kësaj aspirate.
Ndryshe, ai theksoi se Plani Evropian dhe ankesi zbatues kanë disa problematika që në fund do të krijojnë status-quo të re pa një zgjidhje të përhershme për marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Plani nuk paragjykon statusin e Kosovës (Rezoluta 1244) në preambulën e tij, kërkon vazhdimin e negociatave me të njëjtën kornizë dialoguese si deri tash (Neni 6), obligon Kosovën që të krijojë një entitet vetëqeverisës që përfaqëson vetëm interesat e komunitetit serb në Kosovë (Neni 7) dhe lë hapësirën që ky entitet të marrë edhe më shumë kompetenca sesa që i kemi imagjinuar deri më sot (Poashtu, Neni 7)”, qartëson Hyseni.
Sipas tij, një marrëveshje pa njohje do të ishte gabim i madh sepse zgjidhja është e përkohshme.
“Gabimi është i madh sepse zgjidhja është e përkohshme. Kosovës i nevojitet urgjentisht një marrëveshje e cila e përmban njohjen nga Serbia, siguron paqen e përhershme në mes të 2 vendeve dhe i hap rrugën Kosovës që, nga brenda, të jetë shtet sovran që përfaqëson të gjithë qytetarët e saj pavarësisht etnisë e identiteteve të tjera si dhe, nga jashtë, të krijoj bashkëpunime përmbajtësore me shtetet e tjera, fqinje e më larg. Plani Evropian nuk e përmban asnjë fije të kësaj aspirate”, tha ai.
Ndryshe, Partia Socialdemokrate ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestë të shtunën e ardhshme në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, si shenjë mospajtimi për marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. /InLajmi/