Të dielën, më 2 prill, në Prishtinë, platforma “Liria ka emër”, organizon Marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë, përcjell InLajmi.
Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.
Ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.
Hoxha ka thënë se duke qenë plotësisht koshient se drejtësia si parim, është e paanshme, e plotë dhe manifeston të vërtetën, ajo beson në drejtësi, si dhe pret një epilog të drejtë të këtij procesi gjyqësor.
Ideatori tjetër, Ismail Tasholli, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe për lirinë e vendit tonë dhe kjo është një e vërtetë historike të cilën duhet ta ruajmë si të tillë, sepse është një e vërtetë e gjithsecilit prej nesh – është e vërteta e Kosovës. /InLajmi/