Iniciativa “ Liria ka emër” ka organizuar marsh për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë, përcjell InLajmi.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka dalë në mbështetje të këtij marshi për drejtësi.
Krasniqi ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi solidarizues, për të shprehur hapur mbështetjen dhe bindjen e palëkundur mbi pastërtinë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare.
Postimi i plotë i tij:
Liria dhe pavarësia e Kosovës qëndrojnë mbi përpjekjen shekullore të popullit tonë dhe sakrificës sublime të dëshmorëve dhe pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo e vërtetë historike është e vërteta e Kosovës. Janë nderi dhe krenaria jonë kombëtare. Sot, është obligim dhe detyrë e jona, qytetare e patriotike, që këtë të vërtetë ta mbrojmë nga çdo tendencë për tjetërsim.
Prandaj, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpres dhe mbështes marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë.
Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi solidarizues, për të shprehur hapur mbështetjen dhe bindjen e palëkundur mbi pastërtinë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare! /InLajmi/