
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë nisur drejt vilës shtetërore “Bilana” në Ohër, ku sot do të mbahet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq,


Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, po qëndron në Ohër prej ku ka dërguar foto e video nga momenti kur Borrell e Lajçak janë larguar nga hoteli.

Takimet pritet të nisin nga ora 10:00. Fillimisht do të mbahen takime veç e veç të ndërmjetësuesve me Kurtin e Vuçiqin, e pastaj do të pësojë takimi i përbashkët.

Borrell deklaroi dje se ka pranuar komentet e palëve në lidhje me aneksin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

“Shpresoj se Kosova dhe Serbia do të mund të bien dakord për rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve”, tha Borrell më 17 mars, pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Maqedonisë së Veriut në Shkup.
Në tryezë të diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.
Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të 2-ja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. Po ashtu, kërkon nga të 2-ja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, si dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, shkruan Gazeta Express.
SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.