Tronditjet e botës financiare pas kolapsit të 2 bankave amerikane dhe krizës së Credit Suisse kanë shtuar shqetësimet për një krizë të re. Scholz nuk shikon rrezik për Evropën.
Turbulencat në tregun financiar nuk kanë të mbaruar. Pas paketës miliardëshe për të mbështetur bankën e rënë në krizë, Credit Suisse në Evropë pasoi një aksion i koordinuar për të ndihmuar një bankë tjetër në SHBA që ra në krizë. Banka Rajonale First Republik për shkak të problemeve me likuiditetin dhe humbjeve në bursë do të mbështetet me miliarda. Kjo masë është “shumë e mirëpritur” dhe demonstron forcën rezistuese të sistemit bankar, thuhet në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Financave në Uashington.
Scholz: Sistemi më i stabilizuar
Pas kolapsit të bankës Silicon Valley dhe krizës në tregjet financiare, kancelari gjerman, Olaf Scholz nuk shikon rrezikun e një krize të re financiare. “Nuk e shoh rrezikun. Sistemi financiar nuk është më aq i brishtë si para krizës financiare”, tha kancelari gjerman për “Handelsblatt”. Ai nuk pret që këto turbulenca të kenë pasoja për kursimet e gjermanëve. “Ne jetojmë tërësisht në një kohë tjetër”, tha Scholz duke iu referuar krizës financiare të vitit 2008, shkruan DW.
11 banka të mëdha në SHBA, mes tyre kryesuesit e këtij sektori, JP Morgan Chase, Bank of America, Citigroup, Wells Fargo, Goldman Sachs dhe Morgan Stanley dhe banka në krizë First Republic duhet të mbështeten me rezerva të pasiguruara në vlerë 30 miliardë dollarësh. Ministrja e Financave në SHBA Janet Yellen u përpoq të qetësonte kongresin, kur tha se sistemi bankar është stabël dhe i sigurtë. “Qeveria ka vendosur për masa të vendosura dhe energjike”, tha Yellen.