Të shtunën më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë mbahet takimi i nivelit të lartë me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.
Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa si nikoqirë do të jenë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i mbështetur nga emisari special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak.
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron në Kosovë.
Gjatë takimit të sotëm me presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, ai tha se pret rezultat pozitiv në Ohër.
“Jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj që pas të shtunës do të kemi lajme të mira”, u shpreh Escobar.
Lidhur me takimin e nesërm në Ohër, Bekim Çollaku, ish-ministër i Integrimeve Evropiane dhe njohës i proceseve integruese thotë se pritet të sjellë progres në aspektin e negociatave për aneksin e planit zbatues të planit evropian.
“Takimi i radhës në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbahet nesër në Ohër, pritet të sjellë progres në aspektin e negociatave për aneksin e planit zbatues të planit evropian, për të cilin palët tashmë janë pajtuar. Sigurisht që pritjet e partnerëve ndërkombëtarë janë që të përmbyllen negociatat për aneksin e kësaj marrëveshje, respektivisht planit zbatues”, thotë Çollaku.
Por, në pyetjen se a do të arrihet nesër marrëveshje mes palës së Kosovës dhe Serbisë, ai thotë se duhet të pritet përfundimi i takimit fillimisht, për të cilin është i sigurt se do të sjellë një dramë tjetër të procesit.
“Mbetet që të presim epilogun e takimit të nesërm. Një gjë është e sigurt, takimi i nesërm pritet të prodhojë edhe një dramë tjetër në kuadër të këtij procesi maratonik”, thotë Çollaku.