Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme Anton Berisha, ka kujtuar raportet e mira që kishte ndërtuar ish-presidenti Ibrahim Rugova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, derisa ka theksuar se kjo traditë e raporteve të mira me SHBA-të dhe BE-në duhet të vazhdohet të ruhet, përcjell InLajmi.
Berisha thotë se Kosova nuk duhet të lë asnjë alternativë tjetër përveçse vazhdimit të bashkëpunimit aktiv me SHBA dhe BE-në, duke mos lënë asnjë hapësirë paqartësie, e aq më pak rol inferior në zhvillimet aktuale politike e diplomatike që do të jenë jetike për të ardhmen e vendit.
Tutje, ai thekson se Lidhja Demokratike e Kosovës me Rugovën në krye, që nga themelimi ka qenë urë e popullit të Kosovës, rrjedhimisht shqiptarëve, me botën perëndimore.
Postimi i plotë i tij:
Lidhja Demokratike e Kosovës me dr. Rugovën në krye, që nga themelimi ka qenë urë e popullit të Kosovës, rrjedhimisht shqiptarëve, me botën perëndimore.
LDK me Rugovën por edhe pas tij është më meritorja për të gjitha të arriturat prej lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit demokratik të shtetit të Kosovës, e të gjitha këto rezultat i miqësisë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA dhe BE-në.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e as Kosova nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse vazhdimit të kësaj tradite, bashkëpunimit aktiv me SHBA dhe BE-në, duke mos lënë asnjë hapësirë paqartësie, e aq më pak roli inferior në zhvillimet aktuale politike e diplomatike që do të jenë jetike për të ardhmen e vendit. /InLajmi/