I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Escobar do të udhëtojë për në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të mbështetur këtë proces”, thanë për REL-in nga Ambasada amerikane në Shkup.
Në takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, blloku evropian pret që liderët të pajtohen për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Kurti dhe Vuçiq më 27 shkurt u pajtuan se nuk ka më nevojë për negociata për propozimin dhe shprehën gatishmërinë për të punuar në planin e zbatimit.
Më 18 mars, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të mbajnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Vuçiq, dhe më pas është paraparë të mbahet takimi i përbashkët.