Mirësjellja siç e dijmë është “kartë identiteti” në raport me të tjerët, pasi njerëzit me anë të mirësjelljes shpërfaqin formimin, edukimin, kulturën e asaj që përfaqësojnë vërtetë. E më së miri kulturën tonë e tregon pasuria e fjalorit të mirësjelljes sepse është pikërisht kjo pjesë që na ndihmon të jemi më miqësor në raport me njerëzit, shkruan InLajmi.
Si shoqëri vërejmë se kemi mungesë të mirësjelljes dhe se në fjalorin tonë të komunikimit të përditshëm mungojnë fjalët “Përshëndetje”, “Ju lutem”, “Faleminderit”, “Më vjen keq”, “Mirëdita”, “Mirëmbrëma”, e kjo mbase në shumë raste ndodh për shkak të hezitimit apo indiferencës, e nuk përjashtohen rastet kur përshëndetjet mungojnë qëllimshëm për shkak të natyrës së vetë individit, i cili ka zgjedhur injorimin në vend të respektit. Si shoqëri nuk i kemi të panjohura rastet kur brenda një pallati banorët nuk përshëndeten me njëri-tjetrin me arsyetimin mbase “nuk e njoh dhe nuk e përshëndes”, pavarësisht që janë fqinj, e ky është vetëm një nga shumë raste, të cilat janë jo të rralla.
Qytetarë të anketuar nga InLajmi tregojnë raste kur kanë hasur në mungesë të mirësjelljes. Disa prej tyre theksojnë se edhe kur kanë përshëndetur persona të caktuar, e njëjta nuk u është kthyer, dhe personat në fjalë janë ndier të fyer.
Njëra nga të anketuarat, J.G, emër i njohur për redaksinë e InLajmit, ka thënë se është e vërtetë që në shoqërinë tonë kemi mungesë të mirësjelljes, e kjo për faktin se jo të gjithë mirësjelljen e tjetrit e kuptojnë pozitivisht, madje në disa raste për shkak të vetëbesimit të tepruar disa persona injorojnë të tjerët. Ajo tregon raste kur persona të caktuar (që i ka njohur) i janë shmangur përshëndetjes së saj, gjë që e kanë bërë të ndihet e fyer. Ajo shton se rastet e tilla pa dashje krijojnë një qasje të njëjtë edhe distancë në mes njerëzve.
Një rast të ngjashëm e shpjegon edhe studentja E.K, e cila gjithashtu shpërfaq mungesën e mirësjelljes, në këtë rast përshëndetjen e studentëve në mes vete, por në disa raste edhe të stafit akademik, të cilët shprehin injorim ndaj përshëndetjeve të kujtdo qoftë.
Një anketuese tjetër S.H, mungesën e mirësjelljes në objekte, rrugë apo kudo e lidh edhe me mentalitetin patriarkal që ka mbizotëruar një kohë të gjatë në shoqërinë tonë edhe pse thotë ajo, duhet të përgëzojmë qasjen e gjeneratave të reja në mirësjelljen brenda shoqërisë dhe komunitetit. Sipas saj, jo tek të gjithë gjeneratat e reja mungojnë shprehjet “Mirëdita”, “Më fal”, “Të lutem”. Ajo mendon se nuk duhet të ndalemi aty ku jemi, por duhet të synojmë gjithmonë t’i përqafojmë vlerat njerëzore, e gjithsesi në disa raste pa anashkaluar ato tradicionale, respektin për njerëzit që të rrethojnë.
Psikologu Yll Avdiaj në një deklaratë për InLajmin shpërfaq 2 periudha të rëndësishme të zhvillimit të shoqërisë dhe krahasimin e vlerës së mirësjelljes në periudhën para dhe pas luftës. Sipas tij, në periudhën e paraluftës jeta është zhvilluar me koncept kolektivist e jo individualist dhe edukimi është orientuar në respektimin e të gjithëve.
Avdiaj thekson se mirësjellja 20 vite më herët ka qenë më e theksuar në shoqërinë tonë dhe kjo ka rrjedhur nga edukimi brenda familjes, por siç thekson ai, ky lloj i edukimit është orientuar mbi bazën e sistemit represiv, ku sjelljet dhe edukimi janë ndërtuar më shumë me metoda ndëshkimi.
“Nëse kthehemi vetëm 20 vite më herët, mund të vërejmë se mirësjellja ka qenë më e theksuar dhe më e shtrirë në shoqërinë tonë kosovare. Rregullat edukative si: “t’i respektosh më të moshuarit, prindërit, mysafirët, t’i përshëndesësh njerëzit kalimtarë në rrugë, t’ua lirosh vendin si në autobus apo vende publike të tjera të ngjashme, pothuajse kanë qenë më prezente dhe kjo gjithnjë si rezultat i një edukimi thelbësor që buron fillimisht nga familja pastaj edhe sistemi edukativo-arsimor i asaj kohe”, tha Avdiaj për InLajmin.
Për më tepër, psikologu Avdiaj thotë se mungesa e mirësjelljes, konkretisht e përdorimit të shprehjeve “Mirëdita”, “Mirëmbrëma”, “Më fal”, “Të lutem”, “Faleminderit”, ka filluar të ndryshojë që nga paslufta, e kjo sipas tij, ka ardhur si rezultat i tranzicionit kulturor.
“Kjo dukuri, mund të them se ka filluar të ndryshojë që nga paslufta e tutje, nga momenti kur shoqëria jonë fillon të hyjë në një tranzicion kulturor gjë që rezulton shpeshherë në përplasje dhe ndryshime konceptesh, vlerash, besimesh, qëndrimesh etj. Po ashtu, lëvizjet e shumëta nga viset rurale nëpër vise urbane, dallimet në prejardhje, niveli arsimor, intelektual, mendësia, mospranimi, injorimi, paragjykimet etj, shpeshherë kanë luajtur rol që banorët apo qytetarët të mbajnë distancë nga njëri-tjetri”, tha ai.
Avdiaj konsideron se ky tranzicion ka ndikuar në dinamikën e zhvillimit nga rendi kolektivist drejt frymës individualiste, ku njerëzit vendosin vetveten në rend të parë.
“Një faktor tjetër i rëndësishëm mund të them se është pikërisht ky tranzicion i cili në dinamikën e zhvillimit po kalon nga një rend kolektivist drejt një fryme individualiste. Koncentrimi drejt individualizmit nënkupton kthim dhe fokus më të madh drejt vetës apo egos, e që nënkupton ‘të vendosësh vetën në rend të parë, ndërsa të tjerët në rend të dytë’, ndërsa fryma tradicionale apo më kolektiviste kryesisht fokusin dhe vëmendjen e përqendron më shumë tek të tjerët, ndërsa vetja (ego) në rend të dytë”, tha Avdiaj.
Psikologu Avdiaj thekson se si shoqëri duhet punuar më shumë në shtimin e vlerave të mirësjelljes dhe respektimit ndaj njëri-tjetrit, por gjithsesi fjalori i secilit të përmbajë shprehjet “Mirëdita”, “Më fal”, “Të lutem”, “Mirëmbrëma”.
“Është më rëndësi që kjo lloj edukate të zhvillohet si në nivelin familjar e poashtu edhe në atë edukativo-arsimor, mirëpo gjithnjë duke iu përshtatur kushteve dhe rrethanave aktuale dhe një niveli më të lartë vetëdijesues. Por, mund të them me përgjegjësi të plotë se nisma e gjithë kësaj edukate fillon me prindërit me sjelljen dhe qasjen që kanë ndaj fëmijëve të tyre; sepse siç dihet, fëmijet rriten dhe zhillohen duke modeluar nga sjelljet e prindërve, familjarëve, rrethit dhe mjedisit ku jetojnë”.
Nga ana tjetër sociologu Jeton Brajshori, bazën e mirësjelljes në shoqëri e sheh tek familja, e cila sipas tij, duhet të përcjellë tek anëtarët e saj sjelljet dhe normat shoqërore, të cilat kanë të bëjnë me kulturën e mirësjelljes.
Sipas tij, ekzistojnë 2 faktorë të cilët determinojnë kulturën e përshëndetjes në një shoqëri të caktuar. Në ndryshimin e mirësjelljes në periudha të ndryshme, sociologu Brajshori thotë se ndikon edhe gjendja emocionale e njerëzve, të cilët shpeshherë nga hallet e shumta harrojnë të përshëndesin të tjerët, jo pse nuk duan, por ngarkesa emocionale e bën të veten.
“Ekzistojmë 2 faktorë të rëndësishëm të cilët e determinojnë kulturën e përshëndetjes. Faktori socio-ekonomik si dhe sjelljet përbrenda familjes. Shumica e qytetarëve tanë, në mungesë të punës, shërbimeve shëndetsore të mirëfillta dhe problemeve të ndryshme primare e kanë ekzistencën dhe e kan humbur sensin e kulturës së komunikimit ndoshta edhe pa fajin e tyre. Rrethanat të cilat po jetoj,ë shpesh na japin kahje të ndryshme jetësore.”, tha Brajshori për InLajmin.
Ndonëse mirësjellja, kultura e komunikimit mësohet edhe në shkolla, sociologu Brajshori thotë se familja është baza e edukimit dhe kulturës së individit.
“Familja si institucioni më i vjetër në shoqëri e ka për obligim që të transmetojë tek anëtarët e vet sjelljet dhe normat shoqërore, të cilat kanë të bëjnë me kulturën e mirësjelljes. Edhe pse fëmijët i mësojnë këto qysh në kopsht nëse ato nuk u përsëriten në familje dhe nuk përdoren në familje atëherë ato gradualisht do të shkojnë duke u zbehur”.
Në fund, Brajshori thotë se kultura e përshëndetjes përveç respektit për tjetrin na tregon shumë edhe për vetën tonë. Shqipe Vishaj /InLajmi/