Ndonëse greva e punëtorëve të KRM “Pastrimi” ka përfunduar mbrëmë, mbeturinat në disa lagje të kryeqytetit nuk janë larguar ende. Madje, qytetarët kanë filluar t’i hedhin jashtë shportës përkatëse.
Labinot Makolli nga Sindikata e Punëtorëve të KRM “Pastrimi”, ka thënë se greva ka përfunduar por që janë në pritje të vendimit me shkrim. Zotimin, thotë Makolli e kanë marrë nga nënkryetarja Donjeta Sahatçiu dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.
“Marrëveshja thuajse është arritur, ende nuk e kemi një vendim siç e kemi kërkuar me shkrim. Tash në mëngjes ishte nënkryetarja dhe drejtori i shërbimeve dhe thanë se në ora 10:00 do të vije vendimi. Për hir të qytetarëve që të mos krijohet ndonjë pandemi kemi vendosur që të dalim. Punëtoret janë në terren duke punuar, por tash që 2 ditë janë grumbulluar menjëherë nuk mundemi t’i largojmë të gjitha. Grumbullimi i tyre është duke u bërë”, u shpreh ai për Ekonomia Online.
Kujtojmë se punëtorët e kësaj kompanie që punonin me rrogë 330 në muaj, kishin kërkuar rritje page prej 70 eurosh, ndërsa ishin shprehur të bindur se nuk do t’i rikthehen punës nëse kërkesa e tyre nuk do të plotësohej.