Takimin e radhës në Strasburg, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e zhvilloi me eurodeputetin spanjoll nga radhët e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve njëherësh Kryetarin e Komitetit LIBE për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme në Parlamentin Evropian, Juan Fernando Lopez Aguilar, përcjell InLajmi.
Tema të diskutimit ishin zhvillimet e fundit, qeverisja 2 vjeçare, reformat në sistemin e drejtësisë, sundimi i ligjit dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjet e deritanishme që Komiteti LIBE i ka dhënë Kosovës për largimin e regjimit të vizave, mbështetje që uron ta marrë edhe në votimin e radhës në këtë komitet, dhe tha se pas vendimit të javës së kaluar të Këshillit të Bashkimit Evropian pret që së shpejti Parlamenti Evropian të kryej dy votimet e fundit në kuadër të këtij procesi.
Duke folur për 2vjeçarin e qeverisjes, Kryeministri Kurti, krahas vlerësimeve të brendshme, iu referua raporteve ndërkombëtare, përfshirë atë të Bashkimit Evropian, të cilat po dëshmojnë përmirësimet dhe përparimet në rrafshin ekonomik dhe demokratik të vendit.
Eurodeputeti Aguilar shprehu mbështetjen e tij për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, si dhe për konkludimin e procesit të liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian, ashtu që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm e pa viza në zonën Shengen nga 1 janari i vitit të ardhshëm. /InLajmi/