Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi që në Prizren është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e monedhave të falsifikuara, përcjell InLajmi.
Sveçla tha se prodhimi dhe futja në qarkullim i monedhave të falsifikuara vazhdon të mbetet një fakt tejet shqetësues duke shtuar këtu se është një vepër penale.
Ministri i Punëve të Brendshme tha se Policia e Kosovës ka zhvilluar me sukses operacionin që rezultoi me arrestimin e 2 personave dhe me sekuestrimin e pajisjeve që kanë shërbyer për prodhimin e tyre.
Ai gjithashtu shtoi se do të vazhdojë angazhimi dhe bashkëpunimi me akterët e sigurisë për reagim ndaj çdo veprimtarie që prekë dhe dëmton sigurinë e qytetarëve.
Postimi i plotë i tij:
Dukuria e prodhimit dhe futjes në qarkullim të monedhave të falsifikuara vazhdon të mbetet fakt tejet shqetësues përveç që një akt i tillë është edhe vepër penale. Policia e Kosovës dhe akterët tjerë të sigurisë janë të angazhuar maksimalisht në lokalizimin dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë aktivitet ilegal.
Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës sot ka zhvilluar me sukses operacionin që rezultoi me arrestimin e dy personave, sekuestrimin e parave të falsifikuara dhe sekuestrimin e pajisjeve që kanë shërbyer për prodhimin e tyre.
Do të vazhdojmë angazhimin dhe bashkëpunimin me akterët e sigurisë për reagim ndaj çdo veprimtarie që prekë dhe dëmton mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve tanë./InLajmi/