I pari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama reagoi për grevën e punëtoreve të pastrimit dhe gjendjes së krijuar, përcjell InLajmi.
Rama tha se ata e kuptojnë zhgënjimin e punëtoreve dhe e njohin të drejtën e tyre për të protestuar.
Më tej ai tha se janë duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën
Postimi i plotë i tij:
Të nderuar banorë të kryeqytetit,
Me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.
Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë.
Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme.
Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti.
Ndërkohë, ne jemi duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat.
Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën. /InLajmi/