Presidentja e vendit Vjosa Osmani, pas pjesëmarrjes në edicionin e 10 të Javës së Gruas, ka treguar pritshmëritë për takimin e 18 marsit në mes Kosovës dhe Serbisë, raporton InLajmi.
Osmani thekson se Kosova duhet të angazhohet më shumë në këtë takim, si dhe duhet të japë komentet dhe propozimet e veta ndërsa shton se nga Serbia nuk ka pritshmëri të larta për marrëveshje.
“Pritjet tona janë që natyrisht ky do të jetë një takim ku Kosova do të angazhohet më shumë, ku do të jap komentet e veta, propozimet e veta, gjithsecila prej tyre kontribuon për paqen në rajon”.
Osmani tha se Serbia deri tani nuk ka dhënë ndonjë kontribut për arritje të marrëveshjes.
“Këto pritje janë pritje që varen nga ne. Unë nuk mund të tregoj se si mund të sillet Serbia sepse deri sot ata nuk kanë dhënë ndonjë një kontribut, qoftë për arritje të marrëveshjes, qoftë për stabilitet e paqe në rajon. Presidenti Serb jep sinjale që ata nuk ka ndryshuar dhe nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë, kontributi i tyre i vetëm në proces ka qenë obstruksioni dhe kjo nuk është as gjë e re, kjo ka ngjarë në këto 12 vite të dialogut”. /InLajmi/