Lideri i PDK-së Memli Krasniqi njoftoi se këtë të martë ka pritur në selinë e kësaj partie 2 Përfaqësuesit Special të Norvegjisë dhe Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, përcjell InLajmi.
Krasniqi tha se edhe në këtë takim është diskutuar situata aktuale politike në Kosovë dhe propozimi evropian.
Më tej Krasniqi deklaroi se qëndrimi i PDK-së është i pandryshueshëm në raport me procesin e dialogut.
Postimi i plotë i tij:
Sot, në Partinë Demokratike të Kosovës kam pritur 2 Përfaqësuesit Special të Norvegjisë dhe Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes dhe Anzej Franges, të shoqëruar nga ambasadorët e të 2 shteteve në Republikën e Kosovës.
Njësoj sikur në takimet e fundit me përfaqësues të shteteve dhe misioneve të ndryshme në Kosovë, edhe në këtë takim diskutuam për situatën aktuale politike në vend dhe propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti.
Qëndrimi i PDK-së është konsistent dhe i pandryshueshëm në raport me procesin e dialogut. Kosova ka pasur nevojë për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme. Fatkeqësisht, kjo marrëveshje jo vetëm që nuk është finale, por parasheh asociacionin në qendër dhe jo njohjen e ndërsjellë – duke zvarritur pafundësisht konfliktin e ngrirë me Serbinë.
Natyrisht, përgjegjësia e plotë bie mbi lidershipin e dobët të Kryeministrit Kurti, i cili, përkundër mbështetjes që i kemi ofruar për 2 vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor të Norvegjisë dhe të Sllovenisë, së bashku me ambasadorët e tyre në Kosovë, i falënderova për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që shtetet e tyre i kanë ofruar Republikës së Kosovës. /InLajmi/