Gjermania pret që në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që mbahet në Ohër më 18 mars palët do të arrijnë marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Ambasada gjermane në Beograd tha se avancimi drejt integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor është synim i Procesit të Berlinit, por në rastin e Kosovës dhe Serbisë ka një pengesë në këtë rrugë.
“Raportet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të paraqesin pengesë. Takimi i ri i nivelit të lartë në Ohër shënon një hap të rëndësishëm drejt tejkalimit të kësaj pengese dhe avancimit në rrugën evropiane”, thanë nga Ambasada gjermane.
Në takimin e Ohrit, palët pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të BE-së, shkruan REL.
Sipas Berlinit zyrtar, propozimi evropian për normalizimin e raporteve, për të cilin ranë dakord më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, synon të krijojë një bazë të qëndrueshme dhe besueshme për raportet mes 2 shteteve.