Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Shemsedin Dreshaj, në konferencën e mbajtur për medie, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e strategjive dhe keqmenaxhimin e Ministrisë së Shëndetësisë, raporton InLajmi.
“Sot, shteti jonë po përballet me Qeverisje ad-hoc me veprime post-festum, pa strategji, pa prioritete dhe pa ofrim të perspektivës për vendin. Asnjë dikaster qeverisës për dy vite të Qeverisjes Kurti nuk mund të merret si mostër e suksesit. Ne sot, e kemi analizën dhe fokusin në sektorin vital të Shëndetësisë”, tha deputeti Dreshaj.
Sipas Dreshajt, Ministria e Shëndetësisë nën udhëheqjen e qeverisë Kurti është kthyer në “ministri të eksperimenteve”
“Ministria e Shëndetësisë në qeverisjen Kurti ka qenë ministri e eksperimenteve, ku për disa herë radhazi u ndërruan ministrat, u ndërruan shefat e reparteve e madje kishte raste ku këto pozita mbetën boshë për muaj të tërë pa udhëheqës, duke bërë që të pësojnë qytetarët dhe shëndeti i tyre. Nuk menaxhohet shëndetësia me UD të pa përvojë dhe të padëshmuar”, tha Dreshaj. /InLajmi/


















