Milovan Drecun, kryetar i Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb, tha se vizita e përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd, mund të tregojë njëfarë përgatitje për vazhdimin e negociatave më 18 mars në Ohër.
Sipas tij, çështja e parë është zgjidhja e problemit rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“U tha se Lajçak duhet të përpiqet të afrojë qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës, veçanërisht në lidhje me Asociacionin. Pra, nëse bëhet fjalë për përgatitjen e një takimi të ri trepalësh, atëherë Asociacioni duhet të zgjidhet fillimisht”, tha Drecun për Tanjug.
Ai tha se deklarata e Lajçakut se në këtë moment Asociacioni nuk është objekt i negociatave është kontradiktore dhe e çuditshme, sepse siç tha ai, “nëse Asociacioni nuk është subjekt, atëherë nuk është e qartë se çfarë duhet të negociohet”, transmeton Klan Kosova.
Nëse Lajçaku dëshiron përparim, shton Drecun, kurse Kurti menjëherë pas tij thotë se nuk do ta formojë Asociacionin dhe kjo është përfundimtare, nuk është e qartë se çfarë progresi është bërë, sepse për përparim në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, siç thotë ai, fillimisht duhet të bihet dakord për formimin e Asociacionit.