Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri ka shkuar në 66.014 Lekë. Sipas Institutit të Statistikave, këto të dhëna janë për 3-mujorin e 4 të vitit të kaluar, dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë vihet re një rritje prej 10.8%.
Por edhe pse ka një rritje të pagës mesatare, sërish vijon të ketë një hendek mes sektorëve. Të dhënat tregojnë se një i punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit kanë pagë mesatare 2.15 më shumë se të punësuarit e tjerë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Bujqësia është sektori që ka rritjen më të madhe të pagës mesatare 18.2% krahasuar me një periudhë të një viti më parë, por sërish krahasuar me sektorët e tjerë ka pagën mesatare më të ulët, shkruan A2CNN.
Sektorët që ka pësuar rritjen më të vogël të këtij treguesi ekonomik janë grup-aktiviteti i administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, pasi sipas të dhënave shtesa është vetëm 6,2 %.

















