Kina lidh me studentët kinezë që marrin bursa kontrata detyruese. Kjo është në kundërshtim me lirinë ekonomike, që garantohet në Gjermani nga kushtetuta.
Liri, studim në një vend të huaj, larg shtëpisë. Për këtë ëndërrojnë të rinjtë në të gjithë botën. Për shumë prej tyre kjo gjë është e mundur vetëm me një bursë shtetërore. Por si i bëhet kur kjo bursë pengon lirinë?
Midis Kinës dhe Gjermanisë ndodhen 7.000 kilometra distancë. Megjithatë, sipas një kërkimi të bërë nga Deutsche Welle dhe platforma investigative CORRECTIV, studentët kinezë që ndodhen në Gjermani përjetojnë një kontroll të fortë të shtetit kinez. Kjo vlen sidomos për shkencëtarët e rinj, që vijnë në Gjermani me një bursë të këshillit kinez të bursave, China Scholarship Council.
Bursistët që marrin bursa nga CSC, duhet të nënshkruajnë më parë që nuk do të marrin pjesë në aktivitete që dëmtojnë sigurinë e Kinës. Ata janë të detyruar, që të paraqiten rregullisht në ambasadën kineze, për të dhënë raport. Kush nuk e zbaton këtë rregull, rrezikon të dënohet.
Bursistët kinezë të CSC, pranohen me dëshirë nga të paktën 30 universitete gjermane. Disa prej këtyre universiteteve kanë lidhur madje partneritete me Këshillin kinez të bursave, i cili varet nga ministria kineze e arsimit dhe është një nga institucionet më të rëndësishme të Republikës Popullore kineze, për dhënien e bursave.
Universiteti FU i Berlinit dhe universiteti LMU i Mynihut kanë marrëdhënie të mira me CSC
Kështu për shembull Universiteti Ludwig-Maximilians në Mynih (LMU) ka vendosur në vitin 2005 një marrëveshje me CSC, për specializimin e doktorantëve. Deri në fund të vitit 2022, në këtë program kanë marrë pjesë 492 bursistë të CSC. Numri i bursistëve çdo vit ka qenë 40.
“CSC është për LMU partneri ynë më i rëndësishëm akademik në Kinë”, shkruan universiteti i Mynihut në përgjigjen e një pyetje të bërë me shkrim. Në një video për përvjetorin e 15-të të vendosjes së bashkëpunimit, përgjegjësit e këtij bashkëpunimi në LMU dhe CSC festojnë madje një “shtyllë të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare” dhe dërgojnë “falenderime të sinqerta”.
Në Univesitetin e Lirë të Berlini (FU), që nga viti 2009 kanë marrë pjesë gjithsej 487 doktorantë të CSC. Sipas të dhënave të veta, FU, është në “partneritet të privilegjuar” me CSC, dhe shihet prej saj si “institucion i preferuar pritës për bursistët e CSC”.
Nuk njihet ndonjë “përpjeke për të mbyllur gojën”
Deri tani bashkëpunimi me Këshillin kinez të bursave nuk është vënë ndonjë herë në dyshim.
“Kontrata të lidhura midis bursisteve dhe bursistëve kinezë dhe qeverisë kineze nuk kanë qenë të njohura prej nesh deri tani”, shpjegon LMU. Edhe përpjekje për të ushtruar presion mbi bursistët kinezë nuk janë raportuar deri tani. “Për LMU, çështjet e shkencës dhe lirisë së shtypit janë vlerat bazë që ne u japim si shembull dhe u ndërmjetësojmë studentëve nga vendet e tjera.”
Kurse në Berlin thonë se nuk dinë të ketë raste individuale me kontrata të tilla.
“Ajo që dihet është se pas përfundimit të bursës, bursistët duhet të kthehen në Kinë ose duhet të kthejnë mbrapsht bursën.” Çështja nuk ka aspak të bëjë me klauzolën e vetme kontraktuale.
Edhe FU thekson se “mbron lirinë e shkencës së anëtarëve të saj kundër ndikimeve të huaja.” Por, sa realiste është kjo gjë në rastin e Kinës?
Lojalitet dhe besnikëri ndaj shtetit
Kontrata e fundit është e vitit 2021 dhe është për një doktorant që qendron në një universitet gjerman. Dokumenti në origjinal është në gjuhën kineze, është i gjatë nëntë faqe dhe është përkthyer gjatë këtij shkrimi, për t‘u krahasuar me kontrata të tjera. Ndryshimet janë të vogla.
Në thelb të kontratës, është pranimi i besnikërisë absolute ndaj shtetit: Bursistët e CSC janë të detyruar “që të zhvillojnë një ndjenjë përgjegjësie për këtë mision, të kthehen në Kinë dhe t’i shërbejnë vendit.” Bursisti nënshkruan që “të mos marrë pjesë në aktivitete që dëmtojnë interesin dhe sigurinë e atdheut.” Më tej thuhet, që bursisti “duhet të mbrojë nderin e atdheut dhe të ndjekë udhëzimet e ambasadave (konsullatave) kineze në vendet e huaja.”
Konkretisht kjo do të thotë që doktoranti duhet të paraqitet maksimumi 10 ditë pas mbërritjes në Gjermani në ambasadën ose konsullatën më të afërt kineze dhe të mbajë “kontakt të shpeshtë me të”. Ai është i detyruar, që të dokumentojë përparimin akademik për t’ia treguar rregullisht ambasadës ose konsullatës, gjë që përfshin marrjen e informacionit nga pala e tretë. Kështu bursisti duhet “të akzualizojë pa humbur kohë” informacionet për mentorët e tij akademikë”. Mbas kthimit të tij, bursisti është i detyruar që të jetojë të paktën dy vjet në Kinë, për “t’i shërbyer” vendit. Vetëm pasi ndodh kjo, kontrata që shtrihet deri tek familjarët dhe shokët, nuk ka më vlerë.
Familja bashkëpërgjegjëse
Në kuadër të dhënies së bursës, për çdo bursist të CSC bëhen të ditur 2 persona garant, për të garantuar që gjatë marrjes së bursës të mos qëndrohet jashtë Kinës për një periudhë më të gjatë se tre muaj. Nëse shkelen klauzolat e kontratës, këta garantë bëhen bashkëpërgjegjës, dhe dënohen personalisht dhe financiarisht.
Kjo gjë ndodh kur bursisti nuk jep rezultatet e duhura akademike ose kur bursisti i jep fund para kohe qendrimit me bursë, pa pasur arsye të mjaftueshme. Në këtë rast përveç kthimit mbrapsht të bursës, duhet paguar edhe një gjobë. Për të pasur një ide: Për një bursë me periudhë katër vjeçare, paguhen rreth 75 mijë euro.
“Çmenduria e kontrollit” kinez
Ekspertja për çështjet e Kinës, Mareike Ohlberg punon për programin aziatik të organizatës jofitimprurëse, German Marshall Fund. Ajo mendon se kontratat e CSC tregojnë “çmendurinë e kontrollit” të Partisë Komuniste të Kinës, që mbërrin deri tek thirrjet e qarta për mobilizim: “Njerëzit inkurajohen aktivisht që të ndërhyjnë nëse ndodh diçka, që mund të mos jetë në interes të vendit.”
Shkelja më e rëndë e kontratës ndodh kur dëmtohen interesat e Kinës.
“Në kontratë kjo gjë zë vend para aktiviteteve të tjera që mund të jenë pjesëmarrje e mundshme në krime, pra praktikisht edhe para kryerjes së një vrasjeje. Për këtë Kina vendos prioritete të qarta,” analizon Ohlberg, shkruan DW.
Megjithatë, nuk thuhet cilat mund të jenë aktivitetet që dëmtojnë interesat kineze dhe kjo çështje lihet me qëllim e hapur. Njëjtë edhe me pasojat që mund të kenë. Ohlberg arrin në përfundimin se: “Edhe jashtë vendit kinezët nuk janë të lirë, përkundrazi vazhdojnë të jenë nën vëzhgimn e partisë.” Rezultati është krijimi i klimës së frikës, e cila çon në vetëcensurim.