Lumi Vjosa është shpallur Park Kombëtar. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në komunikimin me gazetarët për vendimet e qeverisë ditën e sotme.
“Kategoria e 2-të e mbrojtjes, që është shumë me e lartë nga ajo që kishte një vit më parë thjesht Park Natyror,” u shpreh Kumbaro.
Ministrja bëri po ashtu të ditur se sipërfaqja e mbrojtur është shtrirë tashmë në mbi 12.727 ha, e gjithë sipërfaqja ujore dhe bregore e lumit bashkë me sipërfaqe të tjera tokësore.
“Bashkë me 3 degë të tjera të Lumit Vjosë, më konkretisht lumi Drino, lumi Bënç dhe Shushica bëjnë atë që quhet sot Parku i parë në Europë i një lumi të egër. Një punë shumë e gjatë që kurorëzohet sot me këtë akt ligjor. Është faza e parë e kësaj pune…”, shkruan A2CNN.
Po ashtu, ministrja bëri të ditur se sot është shpallur monument natyre Tulipani Shqiptar. Bëhet fjalë për një lëndinë të caktuar në bashkinë Kukës në të cilën gjenden kushtet e favorshme për rritjen e këtij tulipani.